Njësitë elitë të Policisë së Kosovës u zhvendosen mëngjesin e kësaj të diele në një bazë ushtarake në fshatin Frashër të Mitrovicës, pas tensioneve në veri të Kosovës. Furgonë të policisë së Kosovës e makina të blinduara udhëtuan drejt veriut.

 

Prej ditës së shtunë, në liqenin e Gazovidës, pranë kufirit Kosovë – Serbi është vënë re edhe prania e forcave ushtarake të KFOR, me makina të shumta dhe ushtarë të armatosur rëndë. Zbarkimi i ushtrisë amerikane në veri, u komentua si një sinjal paralajmërimi për trazira dhe tentativë të KFOR për të kontrolluar kufirin, por NATO përmes një njoftimi sqaroi se bëhet fjalë thjesht për një stërvitje të paralajmëruar.

 

Lëvizje pati edhe nga pala serbe. Zërat se serbët në Mitrovicë do të shpallnin autonominë e veriut të Kosovës, pas skadimit të afatit për hartimin e statutit të Asocacionit të komunave serbe, detyruan presidentin serb Aleksandër Vuçiç të thërrasë Këshillin e Sigurisë, që vendosi rritjen e gatishmërisë ushtarake.

 

Të njëjtin vendim e mori edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ndër të tjera tha se asnjë cënim territori apo veprim i njëanshëm nuk do të tolerohet.

 

Zhvendosjet e njësive speciale apo forcave të KFOR në kufirin me Kosovës dhe Serbisë kanë rritur tensionet në veri. Megjithatë policia e Kosovës e ka cilësuar një fryrje mediatike të gjithë situatën, duke njoftuar se operacionet e njësive policore ishin të planifikuara më herët.

 

Një deputet serb i Parlamentit të Kosovës i ka quajtur sajesa të gjitha lajmet për tension në Mitrovicë, duke bërë thirrje për qetësi pasi njerëzi po frikësohen më kot.