Franca është kampionia e re e botës në futboll, pasi triumfoi bindshëm 4-2 në finalen e “Luzhnikit” në Moskë ndaj Kroacisë.

Një finale e çmendur, e cila prej dekadash të tëra nuk prodhonte 6 gola dhe emocione të tilla.

Edhe pse ishin në disavantazh thuajse gjatë gjithë kohës, madje në një moment Franca ishte në avantazhin e 3 golave, kroatët kurrë nuk u dorëzuan në këtë finale, duke besuar deri në fund, i cili bëri që të largohen me kokën lartë dhe vendin e dytë në botëror.

Ndërsa tashmë Kupa e Botës është në duart e francezëve për të dytën e herë në histori. Triumfi i parë i tyre ishte 20 vite më parë, në Botërorin e shtëpisë për ta.

Kroacia e nisi mjaft mirë këtë ndeshje, duke qenë ajo më kërkuese, duke dashur të befasoi që në fillim Francën. Në 10 minutat e para të ndeshje ishin pikërisht kroatët ata që me Perisic e Rakitic u shfaqën rrezikshëm në portën e mbrojtur nga Lloris.

Ishte pikërisht Mario Mandzukic heroi i Kroacisë ndaj Anglisë, por finalja ka nisur tmerrësisht keq për kroatin, i cili në minutën e 18 ka shënuar autogol. Ishte një goditje dënimi dhe krosimi i Griezmann është devijuar pak nga kroati dhe Subasic është mposhtur.

Kroatët kanë reaguar menjëherë dhe avantazhi i Francës nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta. Ivan Perisic ka rritur të barazojë shifrat në minutën e 28-të. Sulmuesi mori një top nga Vida në hyrje të zonës dhe me një goditje fantastike me të majtën realizoi golin e barazimit.

Sërish pas 10 minutash vjen edhe goli i avantazhit për Francën. Arbitri akordon një penallti pasi me anë të VAR pa një prekje të topit me dorë brenda në zonë dhe Griezmann realizoi duke kaluar Francën sërish në avantazh.

Në minutat e mbetur të pjesës së parë, kroatët u hodhën në sulm në kërkim të golit të barazimit, madje me Perisic patën një mundësi mjaft të mirë për të shënuar, por topi përfundoi jashtë.

Kroacia e nisi mjaft mirë pjesën e dytë, duke kërkuar me të gjitha mënyrat golin e barazimit. Disa raste të pastra për shënim për ta.

Kur të gjithë prisnin golin e Kroacisë, ishin sërish francezët që shënuan. Pogba realizoi një gol mjaft të bukur në minutën e 59. Mesfushori godet bukur nga jashtë zonës dhe topi ndalet në rrjetë.

Ndërsa në minutën e 65 ishte radha e talentit Mbappe të shënojë në një finale Botërori, duke e çuar në 4-1 rezultatin.

Por Kroacia, edhe pse në disavantazh të 3 golave, nuk dorëzohet dhe Mandzukic, i cili realizo autogol në fillimin e ndeshjes, ngushton diferencën në 4-2 në minutën e 69, pas një gabimi fatal të portierit Lloris.

Formacionet e dy skuadrave

Franca: Lloris; Pavard, Varane, Umtit, Hernandez; Kante, Pogba, Matuidi; Mbappe, Griezmann, Giroud.

Kroacia: Subasic; Vrsaljko, Lovren, Vida, Strinic; Brozovic, Rakitic; Rebic, Modric, Perisic; Mandzukic.

Para nisje së takimit, në ceremoninë hapëse të kësaj finaleje, ishte këngëtarja nga Kosova, Era Istrefi, e cila interpretoi së bashku me Will Smith dhe Nicky këngën zyrtare të Botërorit “Live It Up”.