Pas arrestimit të Salah Abdeslam, i dyshuar si autor i sulmeve të Parisit, Franca po fuqizon kontrollet në kufi duke dërguar më shumë trupa.

Ministri i Brendshëm, Bernard Kazanev, tha se ata do t’i bashkoheshin 5 mijë forcave policore të mobilizuara që prej sulmeve. Një lëvizje e tillë vjen pasi Interpoli bëri thirrje për rritje të vigjilencës në kufij, me pretendimin se të dyshuar të tjerë mund të tentojnë të arratisen nga Europa pas arrestimit të Abdeslam të premten. 26-vjeçari po bashkëpunon me autoritetet, por do të luftojë kundër ekstradimit në Francë, siç tha avokati i tij. Autoritetet belge ngritën akuzat për terrorizëm ndaj Abdeslam, një ditë pas arrestimit të tij gjatë një mësymje policore. Të shtunën kryeprokurori francez, Fransua Molin, tha se 26-vjeçari pranoi se kishte dashur të hidhte veten në erë, por më pas kishte ndërruar mendje. Hetuesit shpresojnë që i riu do të zbulojë më shumë informacione mbi rrjetin e ISOS që qëndron pas sulmeve, burimet financiare dhe planet e tij. Ata besojnë se i dyshuari ka ofruar ndihmë logjistike, përfshirë marrjen e dhomave me qira dhe shoqërimin me makinë të atentatorëve vetëvrasës në “Stade de France”.