Prej rreth 3 javësh me dhjetra forca policia patrullojnë pothuajse kudo në qytetin e Shkodrës. Efektivët e Komisariatit bashkë me forcat Shqiponja dhe Forcat e Ndërhyrjes Shpejtë janë në gatishmëri me mjetet e tyre duke kontrolluar akset kryesore të qytetit.

Përveç këtij patrullimi natën e kaluar këto grupe pas ardhjes së krerëve të opozitës në Shkodër dhe deklaratave të kryetarit të PD Lulzim Basha,

kryetarit të grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili apo asaj të ish-kryeministrit Sali Berisha efektivët kanë zhvilluar edhe kontrolle fizike

. Forcat e policisë janë ndarë në disa zona të ndryshme si në qendër të qytetit por edhe në lagjen “Rus”. Pjesë e kontrolleve kanë qenë të gjitha mjetet që kanë lëvizur në akset e qytetit.

Në fokus të këtyre aksioneve janë ato persona të cilët kanë makina me xhama të errët, personat të cilët mund të kenë armë pa leje me vete apo edhe lëndë narkotike deri tek mungesa e dokumentacionit.

Këto kontrolle të policisë së Shkodrës vijnë pas ngjarjeve kriminale të ndodhura brenda dy muajve e gjysëm dhe frika që është krijuar tek një pjesë e qytetarëve.

Deri më tani janë 6 persona të vrarë dhe dy të tjerë rezultojnë të zhdukur ndërsa duke parë atë që ndodh pa kaluar shumë kohë kjo seri e vrasjeve mund të vijojë.

Pjesa më e madhe janë ngjarje pa autor edhe pse dyshimet e forta të policisë janë se vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Autorët janë treguar të përpiktë duke mos lënë asnjë gjurmë pas ekzekutimeve gjë e cila ia vështirëson punën policisë duke e nxjerrë në një farë mënyrë jashtë loje përballë këtyre larjeve të hesapave.

Zbulueshmëria duket si e pamundur aq më tepër kur edhe policia ka burime se vrasjet bëhen me pagesë nga profesionistë të kësaj fushe.

Megjithatë policia ka zgjedhur të patrullojë në rrugët e qytetit në këtë situatë të tensionuar të kriminalitetit për t’u munduar që të mos ketë ngjarje të tjera tronditëse.