Një tjetër gjyqtar largohet me dëshirë nga sistemi në prag të vettingut. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e gjykatës së Apelit të Tiranës, Metush Saraçi, i cili i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës, njëherësh dhe kryetari i KLD-së, si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Mësohet se në dorëheqjen e tij, ish-kreu i gjykatës së Apelit të Tiranës ka dhënë si argument arsyet shëndetësore për shkak të moshës që sipas tij nuk e lejojnë të vijojë detyrën si gjyqtar në gjykatën e Apelit.

Dorëheqja e Saraçit vjen në një moment kur Komisioni ka përfunduar kontrollin e vettingut të listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kandidojnë për KLP dhe KLGJ dhe më pas janë shortuar për tu kontrolluar drejtuesit e prokurorive dhe gjykatave si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të Apeleve.

Por Saraçi nuk është gjyqtari i vetëm që ka zgjedhur këtë rrugë për të shmangur Vettingun.

Më herët janë dorëhequr dhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, përfshirë dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Por pavarësisht dorëheqjes, është KPK ajo që do të vendosë nëse do të ndërpresë apo jo vettingun për Saraçin.

Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara deri më tani, KPK ka larguar nga sistemi 31 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa ka rikonfirmuar në detyrë 36 prej tyre.