Pas informacioneve se protesta e opozitës jokuvendore do të zhvendosej pas kryeministrisë edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ky institucion është boshatisur.

Kryetari Klement Zguri anëtarët e KQZ, por edhe gjithë administrata janë larguar, edhe pse afati ligjor për dorëzimin e dokumentacioneve për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë për zgjedhjet vendore është deri në mesnatë.

Pranë KQZ-së ka vetëm forca policie në rast se PD dhe LSI do të tentojnë të shkojnë drejt këtij institucioni. Nga informacione jo zyrtare pranë PD-së thuhej se do të kishte një plan për të penguar bllokimin e procedurës ligjore për regjistrimin e kandidatëve.

KQZ ka hapur zyrën e protokollit për pranimin e dokumentacionit deri në mesnatë.

Zyra tjetër e protokollit është hapur në një vend tjetër, i cili nuk tregohet për arsye sigurie.

Përfaqësues politikë që do duhet të dorëzojnë dokumentacionet e fundit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, do të duhet të lidhen me personin e kontaktit të KQZ, i cili i orienton drejt vendit ku është çelur zyra e protokollit.

Mësohet se Partia Socialiste këtë pasdite i ka dorëzuar të gjitha dokumentacionet, duke regjistruar të gjithë kandidatët për kryebashkiake dhe të gjithë këshilltarët bashkiakë.

Artikulli paraprak‘HERONJTË E PAQES’, HAPET LIBRI I NGUSHËLLIMEVE NË NDER TË DY DËSHMORËVE
Artikulli tjetërNIS MARSHIMI I PROTESTES SË OPOZITES, ITINERARI 5 INSTITUCIONE