Trajneri i sapo emëruar i kombëtares së femrave në futboll Armir Grima e ka nisur me humbje.

Kombëtarja e femrave zhvilloi një ndeshje miqësore në Hungari duke u mundur me rezultatin e thellë 6-0 ndaj ekipit vendas. Në fakt ka qenë një ndeshje që është dominuar totalisht nga kombëtarja hungareze e cila nuk e ka vënë aspak në diskutim fitoren përballë një ekipi modest si kombëtarja shqiptare. Në pjesën e parë Hungaria realizoi 4 gola. Të katër golat mbajnë për autore futbollisten Vago. Në minutën e pestë një penallti të akorduar e kthen në gol duke i dhënë avantazhin vajzave hungareze. Vajzat e Shqipërisë në minutën e 16’ shkaktojnë një tjetër penallti që sërish kthehet në gol nga Vago e cila nuk gabon as herën e dytë nga pika e 11-metërshit. Pas 10 minutash, sulmuesja Vago merr një harkim dhe e vetme në zonë duke i shpëtuar mbrojtjes, shumë afër me portën nuk e ka të vështirë që të trefishojë rezultatin. Hungarezja ka kohë edhe për golin e katërt në pjesën e parë duke shënuar një poker ndaj ekipit kuqezi. Një top nga një goditje dënimi në ecje e sipër e çon në rrjetë sërish duke u shfaqur në qendër të mbrojtjes në minutën e 43’. Në minutën e 53’ në zonën e kombëtares shqiptare ka një rrëmujë. Aty përfiton Racz e cila godet dhe portierja e Shqipërisë Gjyli gabon dhe topin përfundon në rrjetë duke shënuar golin e pestë. Është minuta e 77’ kur Hungaria nis një aksion nga mesfusha. Mbrojtja gabon sërish duke bërë që Kajan të dalë e vetëm me portieren Gjyli. Mjafton një devijim i topit duke realizuar golin e gjashtë dhe duke vulosur 6-0 rezultatin. Pavarësisht se në krye të pankinës në miqësoren me Hungarinë ishte trajneri Grima bashkë me zëvendëstrajnerin Sinani dhe trajnerin e portiereve Legata, ky formacion është zgjedhur nga stafi teknik i mëparshëm dhe në vazhdimësi duhet parë se cilat do të jenë ndryshimet që do të bëjë stafi i ri.

Artikulli paraprakMESI: BASHKIA TË KETË STRUKTURË TË KONTROLLIT FINANCIAR
Artikulli tjetërVLLAZNIA E PLOTË PËR TRANSFERTËN NË LAÇ