Megi Doçi edhe në ndeshjen e së shtunës sërish ka qenë protagonist për Vllazninë. Vlerat e kësaj futbollisteje tashmë dihen dhe njihen nga të gjithë ajo është një nga lojtaret më të mira jo vetëm të kampionatit shqiptar por edhe të kombëtares tonë.

Doçi ka rezultuar deçisive edhe në takimin e së shtunës të luajtur në Fier në mes Apolonisë vendase dhe Vllaznisë. Mund të duket disi e çuditshme por skuadra shkodrane, ndryshe nga shumë ndeshje të tjera, këtë herë ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0.

Autore e golit të vetëm të ndeshjes ishte pikërisht ajo, Megi Doçi. Sulmuesja kuqeblu ka shënuar në minutën e 70-të dhe ky gol i ka mjaftuar ekipit shkodran për të marrë trepikëshin e radhës në kampionat.

Rastet në fakt nuk kanë munguar, por topi ka shkuar në rrjetë vetëm një herë. Duhet thënë se tek futbollistet e Vllaznisë janë vërejtur edhe shenja lodhjeje sepse siç dihet, shtatë prej tyre kanë luajtur me kombëtaren shqiptare dy ndeshje brenda pak ditësh.

Me këtë fitore, kampionet në fuqi të vendit e kanë çuar tashmë në 11 pikë diferencën me ekipin e vendit të dytë që ndahet nga Apolonia dhe Kinostudio.