Futbolli kosovar është në zi, pasi mëngjesin e sotëm ka humbur legjendën e të gjitha kohërave.Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës është, Fadil Vokrri, ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme, pas një arresti kardiak.

Vokrri mbylli sytë në moshën 57 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Më 23 qershor ai do të mbushte 58 vjet, por nuk ia doli.

Fadil Vokrri konsiderohet njeriu me meritën më të madhe për hapjen e dyerve drejt anëtarësimit të Kosovës në dy shtëpitë e futbollit, atij europian dhe botëror – UEFA dhe FIFA.

I lindur në Podujevë, Fadil Vokrri njihej edhe si Diego Maradona shqiptar, për shkak të mënyrës si lëvizte dhe forcës me të cilën gjuante.

Idhulli i të gjithë shqiptarëve të Kosovës, Vokrri shkëlqeu me FC Prishtina, duke regjistruar madje disa paraqitje për përfaqësuesen e Jugosllavisë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit.

Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi.

Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak.

Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fadil Vokrrit, teksa shkruan se ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ky lajm.

Ndarja e tij e parakohshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës