BARCELONA DHE JUVENTUS, NË BERLIN DO TI ZGJIDHIN ENIGMËN. Champions League mbërrin në finish me finalen e madhe që do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Olimpiashtadion” në Berlin. Super sfida pritet të elektrizojë jo vetëm Gjermaninë, por edhe të gjithë botën e futbollit në çdo skaj të planetit, pasi përballë janë dy ekipet më të mira të momentit në Europë.

Juventusi dhe Barcelona synojnë tripletën e famshme, por për këtë duhet të fitojnë sonte në Berlin, pasi në kampionatet respektive i kanë mbyllur llogaritë me kampionatin dhe kupën. Juventusi i ndërtuar mbi forcën e grupit tenton që të ngjitet në çatinë e Europës për herë të tretë në histori, pasi deri tani ka fituar vetëm dy herë këtë kompeticion më 1985 dhe 1996. Hera e fundit kur Juventusi mbërrinte në një finale Champion League ishte në vitin 2003, por nuk arriti të triumfonte në finalen italiane, pasi u mund nga Milani me penallti, pasi koha e rregullat përfundoi pa gola. “Zonja e Vjetër” tenton surprizën në finale sonte, pasi këtë edicion ka eliminuar ekipe pretendente si Dortmundi dhe Reali, por për të ngritur kupën me ‘veshë të mëdhenj’ duhet të mundet Barcelona. Spanjollët edhe pse Pep u largua kanë trashëguar stilin ‘tiki taka’, por të ndërthurur me kundërsulmet e shpejta duke e bërë më atraktive lojën. Mesi-Neymar dhe Suarez kanë qenë të pandalshëm këtë edicion në kampionat, Kupë dhe Champions, por a do të arrijnë që të depërtojnë në mbrojtjen italiane, e cila ka treguar se këtë edicion rrallë herë ka ‘futur ujë’ duke qenë hermetike. Megjithatë edhe sikur Enrike të mos triumfonte përballë italianëve, edicioni do të ishte i suksesshëm, pasi ka siguruar dy trofe. Strategjia e Barcelonës do të jetë zotërimi i topit dhe sulmet e shpejta, ndërsa Juve nuk ka rrugë tjetër në Berlin përveçse të mbrohet mirë dhe të shpresojë te kundërsulmet dhe gabimet e kundërshtarit.

PUBLICITET