Policia e ka gjetur 9 të huajt që ishin zhdukur nga hoteli në Durrës. Ata janë gjetur mbrëmjen e së hënës në Tiranë,

por Policia nuk e ka zbuluar arsyen pse i kishin braktisur bagazhet dhe i ishin drejtuar kryeqytetit, çfarë po bënin në orët e e vona të natës në Tiranë, nëse argëtimi dhe jeta e natës me femra kanë qënë arsyet që harruan të imbarkoheshin në anije.

Nëntë shtetas të huaj nga Nepali u bërë protagonistë të një ngjarjeje të paprecedentë në Durrës. Të ardhur në shtetin tonë përmes pikës kufitare të Rinasit, me qëllim për t’u punësuar si marinarë në një anije në Durrës, ata u zhdukën pa lënë gjurmë, por duke lënë pas bagazhet dhe dokumentacionet e tyre.

Sipas informacioneve policore, mësohet se ata kanë mbërritur të premten më datë 9 mars në Rinas, e më pas janë akomoduar në një hotel në Durrës. Por një ditë më pas, më 10 mars, ata u larguan nga hoteli duke braktisur bagazhet dhe nuk janë kthyer më.

Gjatë hetimeve të deritanishme nuk ishte vërejtur ndonjë gjë të jashtëligjshme apo të dyshimtë rreth nepalezëve, por largimi i tyre i papritur mbetet ende i veshur me mister.