Zbulohet një skelet njeriu në tunelet e Qafë Shtamës në Mat. Eshtrat janë zbuluar ditën e sotme gjatë gërmimeve nga një ekip i Forcave të Armatosura, për pastrimin e tuneleve nga armatimet e mbetura aty.

Prej një viti, forcat ‘Xhenio’ e kanë kosideruar si hotsport zonën e Selitës dhe kërkojnë aty për të asgjësuar armë të vjetra, por sot ata kanë gjetur eshtrat që shihni edhe në foto.

Dyshohet se eshtrat i përkasin një prej 23 personave që humbën jetën në 29 prill të vitit 1997, duke nxjerrë armë, ndërsa tuneli shpërtheu nga municionet. Tragjedia shkaktoi tronditje të thellë tek të gjithë banorët e Matit dhe Shqipërisë.

Pas tragjedisë një pjesë e tunelit u shemb, duke pamundësuar nxjerrjen e tetë trupave të pajetë të cilët mbetën mes rrënojave. Tuneli u mbyll nga ushtria dhe qëndroi i tillë për 21 vjet me radhë. Ndërsa prej një viti forcat xhenio po punojnë në tunelin e Qafë Shtamës për pastrimin e tij.

Drejt Qafë Shtamës janë nisur një grup ekspertësh nga Prokuroria e Dibrës për këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që për identifikimin e eshtrave do duhen analizat e ADN-së. Viktimat e kësaj tragjedie ishin të gjithë banorë të fshatit Selitë të rrethit të Matit.

Gjurmët e “Gërdecit” të së 1997 ndihen edhe sot e kësaj dite. Predha dhe armatime të tjera të pashpërthyera janë të shpërndara në të gjithë zonën duke u bërë një rrezik i vazhdueshëm për banorët.

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 1.2 MLN EURO, DYSHOHET SE DO TË PËRDORESHIN NË AKTIVITET KRIMINAL
Artikulli tjetërSHKATERROHEN 600 FIDANË KANABISI, NE PRANGA SHQIPTARE E GREKE