Analiza, ja 11 arsye pse Gjermania fiton kupën në “Marakana” .

Sonte në orën 21:00 në stadiumin legjendar ‘Maracana’ zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Botës, Gjermani-Argjentinë. Rrugëtimit të Botërorit i ka ardhur fundi pas 63 ndeshjeve spektakolare që kanë dhuruar gjithçka, gola, emocione, lot, kartonë të kuq, eliminime duke përcaktuar në fund edhe finalistet. Në çdo finale nuk ka favoritë, por kuotat e basteve favorizojnë ekipin e Gjermanisë përballë Argjentinës. Megjithatë trajneri Joakim Lwv nuk e nënvlerëson  aspak kundërshtarin duke deklaruar se finalja është e barabartë.

“Argjentinasit janë shumë të rrezikshëm, kanë fituar me diferencë të ngushtë, duke pësuar shumë pak gola. Kanë një mbrojtje të mirë dhe në përgjithësi janë një formacion shumë agresiv. Në këtë përballje na presin shumë më tepër intriga në krahasim me gjysmëfinalen. Në një finale Botërori nuk ka favoritë. Suksesi 7-1 ndaj Brazilit nuk ka asnjë rëndësi, tani duhet që të fitojmë finalen për të bërë të vlefshme edhe rezultatin në gjysmëfinale” deklaroi ai. Në të njëjtën linjë me gjermanin është edhe argjentinasi Sabella.

“Kualitetet e Kombëtares së Gjermanisë i dinë të gjithë. Ne duhet të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme për të mundur Gjermaninë. Jemi të vetëdijshëm që na pret një sfidë e fortë që mund të shkojë edhe me shtesë. Ne jemi përgatitur për gjithçka, ekipi është gati për të dhënë maksimumin. Qëllimi ynë është që të kthehemi në shtëpi me Kupën e Botës, do të ishte dicka e mrekullueshme për të gjithë” deklaron ai.

Përpos trajnerëve përpara finales së madhe kanë folur edhe Mesi me Shvainshtaiger. Argjentinasi, favorit edhe për Topin e Artë të Botërorit shprehet se do të jepte gjithçka, të gjithë trofetë e fituar për Kupën e Botës. “Të fitosh Kupën e Botës është arritja më e madhe, diçka për të cilën ke ëndërruar që i vogël dhe kjo ëndërr nuk shuhet kurrë. Tani do të bëjmë gjithçka që mundemi, për ta kthyer në realitet ëndrrën. Do t’i dorëzoja të gjithë trofetë personalë për t’u shpallur kampion bote. Preferoj më shumë Kupën e Botës sesa Topin e Artë”tha ai. Ndërsa në krahun tjetër Shvainshtaiger, i cili do të mbulojë një për një argjentinasin me qetësi deklaron se nuk janë aspak në presion.

“Po kalojmë një formë të mirë dhe këtë e treguam edhe ndaj Brazilit. Duhet të ruajmë qetësinë. Argjentina është një skuadër shumë e mirë. Ata kanë lojtarë të klasit botëror si Lionel Messi, Angel Di Maria dhe Sergio Aguero. Pa harruar edhe Masceranon në mbrojtje.  Për ne nuk do të jetë aspak e lehtë, por nëse i shfaqim të gjitha cilësitë tona dhe tregohemi të zgjuar, mund t’i mundim, nuk ndiejmë asnjë lloj presioni e dimë se finalja do të jetë tjetër histori nga ajo e Brazilit. Gjermania ka shumë futbollistë që kanë luajtur në finale të mëdha dhe ne dimë se si të përshtatemi në situata të tilla, edhe pse kemi vetëm një lojtar që ka luajtur më parë në finalen Kupën e Botës” tha ai.

Për finalen e madhe kanë udhëtuar nga Argjentina më shumë se 100 mijë tifozë, edhe nga Gjermania numri i tifozëve që kanë udhëtuar për të mbështetur ‘pancerat’ është mjaft i madhe, edhe pse jo sa argjentinasit. Finalja pritet që të shënojë një numër rekord teleshikuesish nga e gjitha bota, pasi interesi në të gjitha kontinentet është maksimal. Ndërsa në Brazil, tifozët janë në dilemë të madhe se cilin të mbështesin, pasi Argjentina është rivalja më e urryer e historisë, ndërsa Gjermania u shkaktoi humbjen më të thellë në histori 7-1 në gjysmëfinale.

Analiza, ja 11 arsye pse Gjermania fiton kupën në “Marakana”

BRAZIL- Gjermani-Argjentinë është finalja e 20-të në historinë e Botëroreve. Për skuadrën e Lëvit është finalja e tetë (1954, 1966, 1974, 1982, 1986, 1990, 2002, 2014) dhe ka shumë arsye për ta sjellë kupën e 4-t në Berlin. Teksa e gjithë Bota voton për Gjermaninë kampione bote, po paraqesim edhe 11 arsyet pse ata e meritojnë këtë triumf të ngjashëm me 24 vite më parë.
1.Fitorja 7-1 shokoi jo vetëm Brazilin, por gjithë botën “Kjo ndeshje impresionoi gjithë botën. Të gjithë e panë që Gjermania mund të fitonte edhe më thellë. Jam i sigurt se Argjentina do dridhet”,- pati thënë Bekenbauer. Mendimit të kajzerit i janë bashkuar gjithë ikonat e futbollit, madje edhe çdo futbollist, veç argjentinasve që nuk duan ta pranojnë.
2.Janë të pathyeshëm! Gjermania nuk ka pësuar humbje në 17 ndeshjet e fundit. Humbja e fundit daton më qershor 2013, në miqësoren ndaj SHBA-së (3-4). Gjithashtu, në 32 ndeshjet e fundit “pancerat” janë mundur vetëm një herë në gjysmëfinale, ndaj Italisë në “Euro 2012″.
3.Golashënues të paparashikueshëm! 17 golat në këtë Botëror mbajnë emrin e 8 golashënuesve. Vetëm reparti i portës ka mbetur pa shënuar. Golashënuesit janë: Myler (5), Klose (2), Shyrrle (3), Humels (2), Kros (2), Khedira (1), Ozil (1), Gëce (1). Edhe në Botërorin 2010, 16 golat i shënuan 8 lojtarë të ndryshëm. Në asnjë Botëror tjetër nuk ka pasur Gjermania kaq shumë golashënues.
4.Skuadër kampionësh me tipa fituesish! Në vitin 2013, boshti bavarez Nojer, Boateng, Lahm, Shvajnshtaiger, Kros dhe Myler fituan 5 trofe me Bajernin. Në 2014 fitoi Khedira Champions-in me Realin. Pas humbjes së 2012-ës ndaj Italisë, ata u treguan kritikëve se janë kampionë.
5.Rekordet prekin kupën 4 gjysmëfinale radhazi është rezultat rekord për Gjermaninë në Botërore. Gjithashtu, “pancerat” luajnë finalen e 8-të, duke pasur eksperiencë më të madhe se Argjentina. Rregulli i 24 viteve: Brazili dhe Italia fituan kupën e 4-t pas 24 vitesh. Gjermania pret të bëjë të njëjtën gjë.
6.Zyrtarisht kryeson listën e FIFA-s FIFA do shpallë zyrtarisht pas finales renditjen. Pas skualifikimit të Spanjës në fazën në grupe, Gjermania ngjitet zyrtarisht në vend të parë.
7.Edhe organizatorët tifo për Gjermaninë! Pas shënimit të golit të 7, tifozët brazilianë fërshëllyen Brazilin dhe duartrokisnin Gjermaninë. Para finales, organizatorët ecin më moton: Kush mund skuadrën tonë, duhet të shpallet kampion bote. Gjithashtu, urrejtja mes argjentinasve dhe brazilianëve ka arritur kulmin, pas ironisë së tyre ndaj dëmtimit të Nejmarit.
8.Koncepti i Sabejës “autobus” para portës Çdokush mund të hamendësojë se në stolin e Argjentinës është ulur Zhoze Murinjo. Ky koncept loje me yje futbolli është i Alejandro Sabeja. Argjentinasit nuk u lënë hapësira boshe rivalëve duke luajtur me 8 lojtarë të tërhequr. Ndaj Holandës nuk u ndëshkuan, sepse “tulipanët” s’kishin ide, por Gjermania ka një thesar në ofensivë.
9.Bashkimi bën fuqinë, i vetëm s’fitohet Në media u publikuan shumë banderola si Argjentina ka Mesin, Portugalia ka Ronaldon, Brazili ka Nejmarin, ndërsa Gjermania ka një arsenal armësh. Gjermanët janë të bashkuar dhe luftojnë për njëritjetrin duke mos pasur egoistë dhe individualistë, ndërsa tek amerikano- jugorët mungon ky koncept. Në duelin e fundit në 2010-ën, në kulmin e suksesit të Mesit, Argjentina u turpërua 0-4.
10. Gjakftohtë, edhe goleada s’u bën përshtypje Sa më e lartë të jetë euforia e tifozëve gjermanë, aq më të qetë janë “tanket” e Lëvit. Goleada ndaj Brazilit ishte spektakolare, por te gjermanët nuk pati ndonjë eufori as në fushë, as në dhomat e zhveshjes. Madje, edhe te festimi i golave dukej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Për gjermanët flet vetëm kupa për ta çuar në Berlin.
11. Paralelizma me 1990-ën Trajneri Lëv frymëzon lojtarët me fanellën e kampionëve të 1954- ës, 1974-ës dhe 1990-ës, duke e lënë atë gjithnjë në dhomat e zhveshjes para dhe gjatë ndeshjes. Bashkëjetesa në “Campo Bahia” i ngjason asaj të 1954-ës në Zvicër, ndërsa filozofia dhe ecuria ka ngjashmëri me kampionët e 1990-ës