Shqipëria të vijojë reformat, opozita të miratojë Kodin Zgjedhor thotë për DW, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Deutsche Welle: Shqipëria pret që në qershor (së bashku me Maqedoninë) të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Sa realiste është kjo?

Michael Roth: Një gjë është e qartë: Çdo vend kandidat matet me arritjet e veta. Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë.

Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut.

Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të

bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu.

Në verën e vitit të kaluar, në një intervistë me DW, jeni shprehur pozitivisht për procesin e vettingut. A jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të tij?

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar, është duke ecur mirë. Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë.

Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe

Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre. Megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?

Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar,

ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.

Ne e kemi mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.

Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata.

Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi (PS), dhe deputeti i partisë socialiste Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, patën të martën (05.02.2019) një vizitë të shkurtër në Berlin,

ku u takuan me kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble (CDU) dhe ministrin parlamentar të shtetit pranë ministrisë gjermane për punë të jashtme, Michael Roth (SPD).