Ndonëse me shumë mungesa, Gjermania ka shkatërruar në miqësore Italinë duke e mposhtur me rezultat të thellë 4:1.

Ndeshja e zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut, u dominua tërësisht nga gjermanët, të cilët kalojnë në avantazh në minutën e ’24 me anë të mesfushorit madrilen, Toni Kross, i cili merr një pasim nga Muller dhe lëshon një silurë me të djathtën nga jashtë zone, duke mposhtur Buffon. Goli i dytë për gjermanët do të vinte në limitet e kohës së rregullt të pjesës së parë, kur bavarezi, Mario Gotze,  do të çonte në rrjetë me kokë një krosim të Thomas Muller.   Edhe pjesa e dytë do të fliste tërësisht për ekipin e Joakim Loë, të cilët në minutën e ’59-të mposhtin për të tretën herë portierin italian, Buffon. Këtë herë shënon mbrojtësi i Koln, Jonas Hector, pas një inkursioni në krahun e majtë nga Julian Draxler.     Ndërsa goli i katërt do të vinte nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e ’75 të takimit. Mesut Ozil merr përsipër të ekzekutojë 11-metërshin e fituar nga mesfushori i Hoffenheim, Sebastian Rudy, i cili driblon Buffonin por ky i fundit shkakton faull.   Goli i vetëm për të besuarit e Antonio Conte do të shënohej nga Stephan El Shaaraëy në minutën e ’83-të.   Fitorja ka rëndësi për gjermanët të cilët kishin 21 vite pa i mposhtur “azurrët” dhe nisur nga rivaliteti historik mes dy ekipeve, edhe ndeshja miqësore merr një tjetër dimension.   Gjermania vinte në këtë takim pas humbjes dramatike 3:2 përballë Anglisë fundjavën e kaluar në Berlin. Ndërsa Italia kishte barazuar 1:1 ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Spanjës, ndeshje të cilën ata e dominuan.