President i Kukësit, Safet Gjici, vendos kushtet e tij për ta marrë Vllazninë. Ai kërkon të jetë presidenti fuqiplotë i kuqebluve dhe të mos ketë asnjë ndërhyrje në zgjedhjet që do të bëjë. Kërkon 500 mijë euro nga Bashkia e Shkodrës dhe vetë të japë 700 mijë euro në sezon, për një kontratë bashkëpunimi 5-vjeçare. I jep 5 ditë kohë kryebashkiakes Voltana Ademi, që të negociojë me të në bazë të kërkesave të shtruara më poshtë, në deklaratën për shtyp, në të kundërt thotë se do të vazhdojë drejtimin e Kukësit.

  Me konsideratën më të lartë për tifozërinë e Vllaznisë dhe historinë gati shekullore të djepit të futbollit shqiptar, por dhe në respekt të pafaund për tifozërinë e Kukësit dhe opinionin publik, Safet Gjici bën këto sqarime rreth pozicionimit të tij në futbollin shqiptar: “Të nderuar miq të futbollit, kudo që jeni! Kohët e fundit, nisur nga dëshira e shumë simpatizantëve të Vllaznisë, unë kam deklaruar që, nëse lë ekipin tim të zemrës, Kukësin, i vetmi ekip ku mund të kontriboj është Vllaznia. Kjo, edhe nga mërzia që më solli ndëshkimi në tavolinë, në ndeshjen me Legian e Varshavës dhe nga mungesa e mbështetjes që kam patur nga Bashkia e Kukësit. Unë, si njeri i fjalës së mbajtur, dhe i rezultateve me histori europiane të Kukësit, me dëshirën e madhe për të ndihmuar futbollin shqiptar, jam i gatshëm që të kontribuoj te Vllaznia, por dua rezultate dhe tituj, ndaj më duhet të bëj publike dhe kërkesat e mia për “Vllazninë dy herë kampione në pesë sezone”. GJICI KËRKON 60% TË AKSIONEVE TË EKIPIT TË VLLAZNISË   Së pari, në një sezon futbollistik, unë kërkoj që të jem bashkëaksioner, konform gjithë rregullave në fuqi, me Bashkinë e Shkodrës, në marrëveshje mbi baza ligjore e juridike dhe trasparente për publikun. Unë kërkoj që shuma që do të derdhë bashkia në arkën e klubit para fillimit të sezonit të jetë 500 mijë euro, ndërkohë që unë do të garantoj shumën prej 700 mijë eurosh në çdo fillimsezoni. Aksionet do të jenë 40% bashkia dhe 60% unë, si president i klubit. Kërkoj adminsitrimin nga ana ime të stadiumit, komplekseve stërvitore, akademisë , ekipeve zinxhir dhe ekipit të vajzave, si dhe gjithë bazës materiale dhe stërvitore. Unë do të jem personi që do të drejtoj dhe menaxhoj gjithë aktivitetin organizativ e financiar të klubit. Unë dua të kem dorë të lirë në ndërtimin e ekipit, stafit dhe adminstratës së klubit dhe nuk dua ndërhyrje apo ndikime në këto emërime dhe vendime.   Bashkia do të ketë vetëm një person në administrate, që do jetë dhe koordinator mes klubit dhe saj, pjesën tjetër të adminsitratës dhe stafit e përzgjedh unë. Gjithashtu, presidenti do të jetë personi i vetëm që vendos mbi kontratat me lojtarët dhe stafin, si dhe për përfitimet dhe premiot. Unë jap mbështetjen time maksimale për Vllazninë, duke deklaruar se do të jem pjesëmarrës për çdo vit në Kupat e Europës dhe për një periudhë 5-vjeçare garantoj se e shpall ekipin dy herë kampion, duke e lartësuar edhe më shumë këtë klub elitar të Shqipërisë. Koha e bashkëpunimit me Vllazninë duhet të jetë pesëvjeçare, mbi marrëvëshje dypalëshe, me vendime të Këshillit Bashkiak dhe gjithë procedurave ligjore e juridike që kërkon një sipërmarrje e tillë. Unë pres përgjigje nga Bashkia e Shkodrës brenda pesë ditëve, ndryshe vijoj punën, që nuk e kam ndërprerë asnjë ditë, në të mirë të Kukësit.   Edhe te Kukësi dua të kem mbështetjen e bashkisë, e cila duhët të shlyejë detyrimet e parapambetura dhe të garantojë detyrimet për sezonin e ri që nis shumë shpejt. Këtë e bëj nga dëshira që kam për të qenë pranë futbollit, mirëkuptimin e tifozërisë, ndryshe do të shoh punët e mia, sespe kam bërë të pamundurën në futboll dhe mbetem një admirues i këtij sporti.” – thuhet ne letren derguar Shkodres, nga presidenti i kukesit Safet Gjici.

PUBLICITET