Autoritetet në Sardenja kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj turistëve që vjedhin rërë nga plazhet e kristalta. Ata po vendosin gjithashtu edhe gjoba që shkojnë deri në 3.000 euro.

 

Ndoshta edhe pa qenë në dijeni të seriozitetit të shkeljes, disa turistë e konsiderojnë rërën aq të mrekullueshme, saqë nuk mund t’i rezistojnë idesë për ta marrë me vete në shtëpi.

 

Por ky lloj problemi e prek Sardenjën prej vitesh. Më shumë se një ton rërë është gjetur verën e kaluar në bagazhet e turistëve.Zakonisht rëra futet në shishe plastike apo çanta, me etiketa në të cilat shkruhet emri i plazhit nga ku është marrë.

Autoritetet thonë se edhe pse praktika duket e padëmshme, ajo nuk është thjesht shkelje, por edhe dëmtim i ambientit në ishull.

 

Sardenja, që është shumë e frekuentuar nga vizitorë të pasur, ka shumë plazhe të bukura, 28 prej të cilave kanë fituar statusin e “flamurit blu” për sa i takon pastërtisë.