160 subjekte të transportit rrugor janë gjobitur nga Task Forca, pasi kanë rezultuar me shkelje të ligjit.

Gjobat janë vendosur pasi këto subjekte kanë kryer shkelje si “ndryshim destinacioni”, pa “akt vlerësimi komoditeti” dhe në shumë raste transportonin udhëtarë me mungesë dokumentacioni.

Kontrollet kanë nisur që në fillim të muajit prill dhe janë kryer kryesisht në akset kryesore kombëtare dhe në terminalet me fluksin më të lartë të trafikut. Subjekt i këtyre kontrolleve kanë qenë operatorët e linjave të transportit të udhëtarëve, si rrethqytetas, ndërqytetas dhe ndërkombëtar.

Këto aksione, vijnë pak javë pasi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e transportit publik që operojnë në vendin tonë.

Ministrja garantoi se do të ketë një rregullim të operimit të linjave të transportit publik, duke theksuar se në fokus të kësaj ndërhyrjeje është goditja e paligjshmërisë në sektor, eliminimi i konkurencës së pandershme dhe ofrimi i një shërbimi cilësor për qytetarët.