Një ditë pasi Gjykata e Apelit liroi ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, ky i fundit ka lënë ambientet e spitalit ku ndodhej i shtruar prej dy ditësh dhe është rikthyer në shtëpi.

Sipas vendimi Agim Kajmaku duhet të paraqitet 2 herë në muaj në prokurori. Seanca e radhës për ish-kryebashkiakun e Vorës do të zhvillohet në datën 15 korrik.

Një ditë më parë trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Elona Tora, Albana Lluri dhe Zengjine Sallaku ndryshuan masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje”.

Ka qenë vetë organi i akuzës, i përfaqësuar nga Arta Marku që ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se Kajmaku nuk mund të qëndronte në burg për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Kajmaku u arrestua dy ditë më parë pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spitalin privat “Continental” për shkak të diabetit. Siç Report Tv raportoi, kanë qenë mjekët ata që njoftuan policinë, se Kajmaku ndodhej i shtruar aty.

Ai ishte shpallur në kërkim që prej 9 nëntorit 2019 dhe akuzohej për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.

Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Fillimisht kjo u mohua prej tij, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.