Gjykata Europiane lejon deportimin e azilkërkuesve

Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian ka vendosur një ligj që i detyron refugjatët të kërkojnë azil në vendin e parë në të cilin hyjnë, aplikohet edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Rasti, i ngritur nga Austria dhe Sllovenia, mund të prekë të ardhmen e qindra njerëzve të mbërritur në bllok gjatë krizës së emigrantëve të viteve 2015-2016. Vendimi, konkretisht kishte të bënte me dy familje afgane dhe një siriane që aplikuan për azil pasi u larguan nga Kroacia. Gjykata thotë se është përgjegjësi e Kroacisë të vendosë për rastin e tyre. Kriza arriti kulmin gjatë verës së 2015, kur një milionë emigrantë dhe refugjatë udhëtuan përmes Ballkanit Perëndimor. Nën të ashtuquajturën rregullore të “Dublinit”, refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së në të cilin hyjnë. Por, gjermania pezulloi rregulloren e “Dublinit” për refugjatët sirianë, duke ndaluar deportimet në vendet nga ku kishin ardhur. Nga gushti 2015, qindra e ndonjëherë edhe mijëra vetë, hynin në Austri çdo ditë, fillimisht përmes Hungarisë dhe më pas përmes Sllovenisë. Shumë donin të udhëtonin drejt Gjermanisë, por rreth 90 mijë vetë aplikuan për azil në Austri, shifër kjo ekuivalente me 1 për qind të popullatës së saj. Mes tyre, dy motra afgane dhe fëmijët e tyre që hynë në kufirin austriak në shkurt 2016. Sipas avokatit të tyre, ato kishin hyrë në Austri me mjete transporti të pajtuara dhe organizuara nga qeveria austriake dhe qeveri të tjera. Por, ndryshe nga shumë afganë të tjerë, atyre nuk iu dha azili. Autoritetet austriake vendosën që të deportoheshin në Kroaci, pikën e tyre të hyrjes në be sipas rregullores së Dublinit. Motrat e dërguan çështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, bashkë me një shtetas sirian në slloveni, që ndodhej në situatë të ngjashme. Dhe gjykata vendosi që kalimi i kufirit kroat nga ana e tyre duhet të konsiderohej i parregullt bazuar në kornizën e “Dublinit”. Vetëm sepse një shtet i BE lejon qytetarët jo europianë të hyjnë në territorin e tij mbi baza humanitare, ky autorizim nuk është i vlefshëm në vende të tjera të BE. Vendimi, sipas ekspertëve do të prekë me qindra azilkërkues.

Artikulli paraprakSHPËRTHIMI I UJËRAVE TË ZEZA, ANGAZHOHEN FORCAT E ARMATOSURA
Artikulli tjetërLEZHE :ÇIKLOMOTORI BIE NË LUMIN GJADËR, VDES 70-VJEÇARI, SHPËTON MBESA E TIJ