Gjykata Kushtetuese propozoi sot emrat e dy gjyqtarëve si anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe të gjyqtarit që rrëzohet.

‘Në përmbushje të detyrimit që buron nga pika 4, e nenit 221, të Ligjit nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, publikohet lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për të qenë Anëtarë të Keshillit të Emërimeve në Drejtësi: Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha’-u shpreh Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese njoftoi se ish-gjyqtari Gani Dizdari nuk plotëson kushtet e parashikuara në ligj, për të qenë anëtar i Keshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha janë të vetmit nga Gjykata Kushtetuese që kanë kaluar me sukses procesin e Vettingut, pasi KPK shkarkoi anëtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, ndërsa dha dorëheqjen Besnik Imeraj. Vitore Tusha ishte edhe propozim I presidentit Meta, pak ditë për parë për të qenë kryetare e KLSH-së.

Gani Dizdarit i ishin gjetur probleme me pasurinë dhe po ashtu u gjet se ai kishte kontakte të papërshtatshme të cilat cënonin integritetin e figurës së gjyqtarit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë, do të ushtrojë rolin kryesor në emërimet në sistemin e drejtësisë. Përgjegjësitë kryesore të KED do të jenë vlerësimi i përmbushjes së kushteve e kritereve ligjore, profesionale dhe morale nga kandidatët për emërimet në gjithë sistemin e drejtësisë.

KED do të përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat 1- vjeçar, nga 1 janari më 31 dhjetor të vitit përkatës.

Anëtarët përzgjidhen, çdo vit, me short, sipas këtij përfaqësimi: 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, 2 anëtarë nga gjyqtarët dhe 2 nga prokurorët e gjykatave të apelit, dhe 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.

Anëtarët mund të shërbejnë për më shumë se një mandat, nëse ju bie shorti më shumë se një herë.