Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme, mbrojtja e Fadil Kasemit i ka kërkuar Gjykatës së Krimeve të Rëndë që ndaj klientit të tyre të hiqet akuza për rrëmbim personi ndaj Klodian Tafës, pasi i pandehuri është vetëdorëzuar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Kasemi e mori peng duke e kërcënuar me armë në makinë, por Tafa e gënjeu duke e dorëzuar në komisariatin e policisë.

Gjithashtu mbrojtja kërkoi thirrjen e 6 dëshmitarëve për të treguar jetën që ka pasur i pandehuri dhe viktima përpara divorcit. Sipas dëshmitarëve, Kasemi ka qënë një familjar i rregullt. Prej tyre është kërkuar dhe vendimi nga Gjykata e Tiranës, për të parë arsyet që çuan në divorc.

Sipas mbrojtjes duhet të hetohet jo vetëm ngjarja, të cilën ata e cilësojnë atë të rëndë por dhe rrethanat që çuan autorin ta kryejë krimin.

Në fund mbrojtja ka kërkuar edhe riekspertimin e gjendjes psikike të Kasemit, pas divorcit dhe në momentin kur është kryer vrasja pasi sipas tyre Kasemi ka qënë i shtruar në spital.

Ish-bashkëshorti i gjyqtares Fildez Hafizi, Fadil Kasemi po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo pasi Gjykata e Lartë ka zgjidhur çështjen e moskompetencës.

Kasemi akuzohet për vrasjen e ish-gruas gjyqtare më 31 gusht 2017 brenda makinës, shkak i krimit dyshohet të ishte divorci, ndërkohë që gjyqtarja kishte urdhër mbrojtje nga Gjykata.

Pas një viti ping pong kompetencash është rihapur gjyqin për Fadil Kasemin, avokati i tij Ilia Ilia, kërkoi gjykim të shkurtuar për klientin e tij, ndërsa gjykata e rrëzoi. Kjo ishte hera e dytë që Kasemi bënte një kërkesë të tillë, pasi herën e parë iu refuzua.

Nëse do të pranohej kërkesa atëherë ai do të shmangte burgun për jetë. Por me ndryshimet e fundit, krimi në familjet përjashtohet nga gjykimi i shkurtuar.

Sa i përket dy fëmijëve të gjyqtares, Gjykata ka vendosur që kujdestarinë e tyre ta marrë motra e ish-gjyqtares.