Gjyqtari i gjykatës së lartë, Admir Thanza ka reaguar pasi KPK kishte konstatuar një dënim të tij me 40 ditë burg në Itali për vjedhje në bashkëpunim, të cilin e kishte fshehur në formularin e deklarimit.

Sipas tij vjedhjen në Itali e kishte kryer kunata në një market, dhe e kishte marrë vetë ai përsipër, për shkak të gjendjes shëndetësore të nipit të tij 9-vjeçar.

Thanza thotë se ishte i gatshëm që të shkatërronte jetën e tij, vetëm e vetëm që nipi i tij të shpëtonte.

‘Mora përsipër për të mbrojtur djalin e vëllait tim. Është gjaku im, një fëmijë i mitur. Vjedhjen në market e kreu kunata. Ishte një fëmijë 9 vjeçar me një sëmundje shumë të rëndë.

Mjekët shqiptar thanë s’ka asnjë shërim. Ai më thoshte: Ajxh të lutem më shpëto kur të rritem do ta shpërblej.

E mora përsipër për të shpëtuar jetën e tij. Nuk kisha as para për të paguar shpenzimet e tij. Mund të shkatërroja jetën time por ai të shpëtonte. Ai tani jeton dhe ka një fëmijë dhe punon jashtë si jurist’, është shprehur me tej Thanza, ndërsa seanca për të është caktuar të martën e ardhshme.

Po ashtu Thanza është shprehur dhe për faktin se nuk kishte shënuar një garazh në deklaratën e pasurisë, duke thënë se kjo nuk ka pse kthehet në një çështje alarmante në jetën e tij.

‘Nuk e kuptoj pse ky objekt garazhi të bëhet kaq alarmant për jetën time, kam shkuar në detaje ekstreme kur në formular kam deklaruar edhe një celular. Kam vlerësuar trupin gjykues dhe kam zgjedhur që të paraqitem personalisht. Avokati po më mbron nga ana ligjore’, ka thënë Thanza.