Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për 8 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që ushtruan dhunë ndaj sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi.

“Nga kqyrja e pamjeve vihet re një person civil, i identifikuar si Sahit Dollapi, i cili komunikon me një punonjës policie dhe më tej shkëputet nga ai dhe fillon të vrapojë.

Pasi bën disa metra me vrap, rrëzohet në rrugë. Më tej, vërehet se një grup punonjësish policie, të veshur me pajisjet mbrojtëse, afrohen me vrap drejt Sahit Dollapit, tashmë i rrëzuar dhe e godasin me shkop gome disa herë.

Pas këtij momenti, Sahit Dollapi ngrihet në këmbë i shoqëruar me një grup prej 7-8 punonjës policie të repartit FNSH”, shkruhet në dokumentin e Prokurorisë.

Lidhur me këtë rast ka pasur një reagim edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe kryeministri Edi Rama.Të dy kanë qenë në të njëjtën linjë, duke e cilësuar si të ekzagjëruar përgjigjen e policisë ndaj përfaqësuesit politik të PD.

Protesta e opozitës më 11 maj është karakterizua nga akte dhune, ku u përdorën shashka, bomba molotov, si pasojë u lënduan 16 efektivë të unifromave blu.