Tre shqiptarë dhe tre grekë janë arrestuar nga policia gjatë mbrëmjes së djeshme, si pjesëtarë të një organizate që shiste kokainë dhe droga sintetike në Athinë dhe Mikonos.

Siç shkruajnë mediat greke, të arrestuarit prej disa kohësh ishin mbajtur nën vëzhgim për tu arrestuar dje.

Tre shqiptarët janë të moshave 26, 28 dhe 33 vjeç, ndërsa tre grekët të moshës 28, 31 dhe 45 vjeç. Arrestimet janë bërë në disa zona të Atikës (Paleo Faliro, Patisia dhe Kamatero) dhe në Mikonos.

Gjatë kontrolleve në banesa dhe makina është sekuestruar 4 kilogramë kokaine, 5 kilogramë metamfetaminë, 350 gram kanabis dhe 99.495 euro.

Gjithashtu janë kapur edhe një pistoletë, njëzet e dy fishekë, dy makina, një motor, tre peshore saktësie dhe 16 telefonat celular.