Braziliani Hygor u kthye në protagonist edhe në pak minuta që u aktivizua në përballjen me Flamurtarin. Mesfushori vulosi fitoren 2-0 për kuqeblutë me një gol spektakolar të shënuar përmes një rofeshate.

Këtë gol plot klas ashtu siç deklaroi për Star Plus para ndeshjes ia dedikon nënës së tij e cila është ndarë nga jeta disa ditë më parë. Goli i shënuar ka shumë vlera edhe në aspektin personal për Hygor. Braziliani që derdhi lot në fushë pas golit rrëfen emocionet e forta që përjetoi.

“Është një kënaqësi dhe një gëzim i madh që unë nuk di se si ta tregoj për këtë gol dhe fitore që morëm. Kam shumë emocion. Kur unë isha duke hyrë në fushën e lojës dhe kur dëgjova emrin tim nga tifozët përjetova shumë emocion por kisha shumë forcë. Këtë gol ia dedikoj nënës time.

Unë bëra një premtim për nënë timë që golin e parë kur të kthehem do t’ia dedikoja asaj dhe kështu ndodhi. Goli është i mrekullueshëm dhe përveçse ka shumë vlerë për kampionatin ka shumë vlerë edhe për mua dhe nënën time sepse plotësova premtimin që i bëra dhe them se nga atje lart ajo ka dërguar këtë gol të bukur për mua”.

Familja është gjithçka për brazilianin Hygor. Ai tregon edhe një letër që i ka lënë nëna e tij që e ka zbuluar vetëm një ditë më parë dhe kërkesën e saj që ia ka lënë si një amanet.

“Ata janë baza për mua. Jam me gruan time prej 12 vitesh dhe kemi edhe djalin. Largimi i nënës më mërziti shumë por dje kam lëxuar një letër që nëna më ka lënë mua dhe në atë letër ajo thoshte që unë duhet të vazhdoj jetën time dhe kërkon që unë të plotësoj ëndrrat që kam dhe jam këtu sot sepse ajo është me mua.

Pa familjen time që i kam në Brazil, pa bashkëshorten dhe djalin unë nuk do të isha këtu. Djali im është i vogël por e ka shumë dëshirë futbollin dhe them se do të bëhet shumë më i mirë se unë”.