Disa ditë më parë falë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane u bë e mundur kapja e një gomoneje që tentonte të trafikonte plot 700 kg marijuanë nga Vlora drejt brigjeve italiane.

Policia e Shtetit ka sqaruar se karabinierët e Barit kanë ekzekutuar disa urdhër arreste në kuadër të operacionit “Velluto” për shkatërrimin e një grupi kriminal italian që operonte në fushën e trafikimit të narkotikëve në zonën e Pulias.

Sipas policisë së Shtetit, grupi kriminal me eksponentë të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita” përbëhej nga shtetas italianë dhe se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të përfshirë.

Kjo deklaratë e Policisë së Shtetit, hedh poshtë lajmin e publikuar nga mediat italiane se në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç.
Por si nisi operacioni i përbashkët

Policia Kufitare e Vlorës kishte siguruar informacione në rrugë operative dhe u vu në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.

Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.

Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.

Rreth një javë më parë në Brindizi u kapën në bordin e një gomoneje tjetër, 535 kilogramë kanabis, e dyshuar se vinte nga Shqipëria. Vlera e drogës në treg do të ishte 5 milionë euro. Mediat italiane raportuan se u prangosën 2 shqiptarë nga Vlora.