Policia ka dyshime se autorët e vjedhjes me thyerje të një bankomati në Shijak janë i njejti  grup i dyshuar për grabitjen e parave të drejtorisë së Transporteve dhe të një biznesmeni në Durrës.

Prej fillimit të vitit ky ishte rasti i katërt i grabitjes së një bankomati, ndërsa disa tentativa kanë dështuar. Ndërkohë në Elbasan, u grabit një agjenci kreditimi.

Bankomati i një banke të nivelit të dytë në Shijak u grabit mëngjesin e kësaj të enjteje.

Autorët që sipas burimeve ishin të paktën dy persona e kanë thyer bankomatin me sende të forta dhe kanë marrë një sasi parash.

Ata kanë qenë të maskuar, për të evituar identifikimin përmes kamerave të sigurisë, ndërsa janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Zyrtarisht shuma e grabitur nuk bëhet e ditur, por mësohet se bëhet fjalë për rreth 100 mijë lek.

Burimet thonë se ka dyshime të forta se pas ngjarjes qëndron një grup i dyshuar për disa grabitje të bujshme në qytetin bregdetar.

Autorët dyshohet se janë të njëjtët që në dhjetor të vitit të kaluar grabitën me armë 7.5 milionë lekë të Drejtorisë së Transportit në Durrës ndërsa më 12 janar i morën rreth 10 mijë euro një biznesmeni të cilit i mbajtën peng djalin.

Ndërsa në Elbasan një person ende i paindetifikuar ka hyrë në ambientet e një “Agjencie për dhënie kredie të vogla” dhe nën kërcënimin e një thike ka marrë rreth 50 000 lekë dhe është larguar me shpejtësi.

Prej fillimit të vitit kjo është grabitja e katërt e një bankomati, ndërsa janë shënuar edhe disa tentativa të dështuara.

GRABITJET E BANKOMATEVE

4 janar në Urën Vajgurore;8 janar në Kamëz;17 janar në Vorë;28 janar në Tepelenë