Janë lënë të lirë për mungesë provash dy të rinjtë që u arrestuan si të dyshuar për vjedhjen e Katedrales Ngjallja e Krishtit në Korçë.

Arrestimi i Joni Cigares dhe Genci Arifit erdhi pak ore pas reagimit të klerikëve ortodokse, por policia e Korçës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për autorësinë e vjedhjes dhe dhunimit të Katedrales nga këta persona.

Pas lirimit të Cigares dhe Arifit, Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër-arresti për 5 persona të tjerë, dy prej të cilëve, vëllezër me precedentë kriminale, për të cilët do të pritet seanca për caktimin e masës së sigurisë, për të parë, nëse provat e grumbulluara nga policia, krijojnë dyshim të arsyeshëm per autorësinë e vjedhjes së objektit të kultit.

Mësohet se deri në këto momente janë arrestuar vëllezërit Ronaldo dhe Lorenc Berberaj, si dhe 15-vjeçari R.SH. Si edhe po punohet për kapjen e shtetasve D.H., 15 vjeç dhe M.T., 14 vjeç.

Grabitja e Katedrales në qendër të qytetit të Korçës, mbrëmjen e 2 shtatorit, solli reagimin e Mitropolisë së Shenjtë, klerikët e së cilës, e vlerësuan të pamjaftueshme punën e policisë, e cila nuk ka shkuar tek autorët e asnjë objekti kulti të denoncuar si të vjedhur.