Një mikrobus me pasagjerë që ishte nisur nga Firence dhe sapo kishte zbarkuar nga trageti i linjës Brindisi-Vlorë u grabit nga 3 persona të armatosur dhe maskuar.

Menjëherë në ndjekje të tyre është vënë policia, e cila ka mundur të identifikojë dhe arrestojë një prej autorëve të dyshuar.

Autorët e ngjarjes pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete , të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre kanë braktisur 2 mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për t’u fshehur në pyll.

Nga policia e qytetit bregdetar bëhet me dije se pas 30 minutash ndjekjeje, falë mbështetjes edhe nga FNSH e Fierit u bë i mundur kapja e 29-vjeçarit Armand Kuqi, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë. Ndërkohë është shoqëruar edhe një person tjetër dhe po punohet nëse është i përfshirë ose jo në ngjarjen e ndodhur.

Policia ka identifikuar edhe një tjetër bashkëpunëtor në grabitje, e bën me dije se po vijon ndjekja për kapjen tij, por pa dhënë detaje për emrin.

Mësohet se janë angazhuar rreth 70 forca policore të përbëra nga shërbimet e Komisariatit, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Forcat Operacionale FNSH të Fierit, si dhe për ndjekjen e autorëve po përdoret edhe qeni i gjurmës.

Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Policia vijon veprimet procedurale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.