200 mijë euro bizhuteri janë grabitur mëngjesin e datës 2 janar në qendrën tregtare City Park.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës ku 4 persona të maskuar kanë shkuar te rojet dhe i kanë lidhur nën kërcënimin e armëve.

Më pas grabitësit kanë hyrë brenda qendrës tregtare dhe kanë shkuar të argjendaria “Altinbas” duke thyer xhamin e derës.

Brenda argjendarisë grabitësit kanë marrë të gjitha sendet me vlerë, përfshirë edhe disa diamantë, vlera e të cilëve ende nuk dihet.

Të dhënat paraprake flasin për bizhuteri me vlerë 200 mijë euro, që janë grabitur, por nuk përjashtohet mundësia për një vlerë më të lartë. Mes bizhuterive të grabitura janë varëse, ora, diamante, unaza dhe një sërë sendesh të tjera me vlerë. Policia është lajmëruar nga rojet kur grabitësit janë larguar.

E gjithë skena e vjedhjes është filmuar, por deri më tani asnjë autor nuk është zbuluar.

Për këtë super grabitje Policia e Shtetit ka fshehur ngjarjen. Në asnjë moment uniformat blu nuk kanë dhënë informacion për këtë grabitje duke mohuar ngjarjen.

Pavarësisht se bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë për më shumë se 6 ditë Policia është përpjekur të mos japë asnjë informacion. Madje ngjarja nuk është hedhur as në komunikatën zyrtare të Policisë, por as në komunikatën e brendshme.

Policia ka referuar dosjen në prokurori për shpërdorim detyre për rojet private, por nuk dha informacion për mediat në lidhje me atë se çfarë ndodhi mëngjesin e datës 2 janar. Mesohet  se deri më tani hetimet janë në vend numëro.

Dyshohet se grabitësit janë pjesë e një bande që kanë kryer një sërë vjedhjesh të tjera në autostradën Tiranë-Durrës, por edhe në zonën e Fushë-Krujës.

Sipas burimeve dyshohet se kemi të bëjmë me një grup kriminal që e ka organizuar më herët grabitjen