Në 6 muaj, Gramshi ishte destinacioni i preferuar i 14 e 500 turistëve vendas e të huaj. Ky informacion jepet nga strukturat e Bashkisë Gramsh që mbulojnë lëvizjet turistike në këtë Bashki.

Ergita Kaso, punonjëse në këtë bashki tha për se “këtë vit, Gramshi ka pasur numrin më të lartë të turistëve ndër vite. Pasi rakorduam të dhënat në të gjitha atraksionet turistike të Gramshit,

konstatuam se gjatë 6 mujorit të parë të 2018 ka pasur rreth 14500 turistë deri tani, të cilët kanë vizituar pikat më atraktive turistike të zonës si Kanioni i Holtës me 3000 turistë.

Kjo natyrë e veçantë e zonës, vazhdon të vizitohet gati çdo ditë nga turistë shqiptarë dhe të huaj”.

Liqeni i Zi, theksoi ajo, është një tjetër pikë e vizitueshme edhe për efektet e ujit kurativ që ka. “Deri tani janë numëruar nga strukturat tona deri 5000 vizitorë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë gjatë muajit gusht, pasi vijnë për kurimin e sëmundjeve reumatizmale”, thotë për ATSH, përfqësuesja e kësaj Bashkie, Ergita Kaso.

Gramshi i ka të gjitha mundësitë dhe resurset turistike që mund të shfrytëzohet për turizëm ditor nga banoret e disa qyteteve si, Elbasani, Lushnja, Berati etj.

Me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore që kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni.

Përballe të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore.

Nga diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.

Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacake që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha, ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.

“Ujëvarën e Sotirës këtë verë e vizituan 2000 turistë vendas e të huaj, kryesisht gjatë muajit Maj-Qershor, por vazhdon të vizitohet edhe në këtë periudhë”, shton më tej Kaso.

Ajo radhit edhe disa pika të tjera turistike të Gramshit që janë vizituar deri tani si Liqeni i Banjës me 3000 turistë, ku disa operatorë turistik sjellin dhe kajak apo mjete te tjera lundruese, të cilat e bëjnë më tërheqës këtë liqen për t’u vizituar.

Një tjetër destinacion, ka qenë dhe fshati Grabovë, një zonë e thellë e Gramshit, por me një histori të pasur, e vizituar nga 700 turistë të historisë dhe të kulturës.

Dy kishat ortodokse, tri urat me harqe, pyjet dhe lëndinat e pafundme i japin fshatit një pamje përrallore.

Pika të tjera të vizitueshme në rrethin e Gramshit kanë qenë dhe Liqeni i Dushkut, Shpella e Kabashit e disa pika të tjera me peizazhe natyrore të veçanta që gjenden në këtë zonë.

Artikulli paraprak84 VJET BUKURI, SOPHIA LOREN FESTON DITËLINDJEN
Artikulli tjetërRAMA ‘DHËMBË PËR DHËMBË’ ME BASHËN, NXJERR SHKRESËN PËR TEATRIN