Greqi, evakuim masiv në Selanik. Pritet asgjësimi i bombës së L.II.B

Autoritetet në qytetin verior të Greqisë, Selanik, kanë shpërndarë fletushka dhe postera informuese gjatë së mërkurës, si pjesë e përgatitjeve për të evakuuar rreth 75 mijë persona, në mënyrë që të mund të asgjësojnë një bombë të pashpërthyer afro 227 kg nga Lufta e Dytë Botërore. Ekspertët e asgjësimit të bombave pritet të zgjidhin çështjen e bombës së gjetur të groposur nën një karburanti, në një operacion të së dielës që pritet të zgjasë rreth 6 orë. Të gjithë banorët në një perimetër prej 2 km do të evakuohen. Bomba, e hedhur gjatë një sulmi ajror në qytet në vitet ’40 u gjet javën e kaluar gjatë punimeve për të zgjeruar depot e magazinimit të naftës. Rreth 1.000 policë dhe 300 vullnetarë pritet të ndihmojnë gjatë evakuimit, ndërsa është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në 3 bashk të prekura, informoi zv.guvernatori i Selanikut, Voula Patoulidou në një deklaratë për “Associated Press”. “Është hera e parë që një gjë e tillë ndodh në Greqi, – tha ai. – Transferimi i të gjithë rezidentëve është detyrues dhe ne do të shkojmë derë më derë për t’u siguruar se asnjë prej tyre nuk do të mbetet pa u evakuuar”. Edhe terminali i autobusëve të distancave të gjata në Selanik, që ndodhet shumë pranë zonës ku është gjetur bomba, do të mbyllet gjatë operacionit, ndërsa trenat nuk do të lejohen të udhëtojnë për në qytet apo të nisen prej andej, pasi linja kryesore hekurudhore kalon pikërisht përmes zonës së rrethuar. Zëdhënësi i ushtrisë, kolonel Nikos Fanios tha se pjesa e jashtme e bombës është e degraduar aq shumë, saqë është e vështirë të përcaktohet nëse ajo është bombë e hedhur nga gjermanët apo aleatët. Por një banor i zonës thotë se e mban mend ditën kur ajo bombë është hedhur mbi qytet. “Bombardimi është kryer nga avionët britanikë dhe amerikanë më 17 shtator të vitit 1944. Ishte pikërisht dreka e një dite të dielë”, thotë Giorgios Gerasimou, 86-vjeçari me shtëpi shumë pranë vendit ku u gjet bomba. “Ne mundeshim t’i shihnim avionët teksa vinin”. Ato kishin për objektiv mjediset e hekurudhës gjermane, tha më tej ai. Nazistët gjermanë pushtuan Greqinë nga viti 1941 deri në tetor të vitit 1944. Gerasimou, 13-vjeçar në atë kohë, tha se ai dhe shokët e tij duhej të shkonin në stacionin hekurudhor çdo ditë për të marrë racionet e ushqimit.

Artikulli paraprakTOPALLI AKUZON: EDI RAMA ËSHTË I PABURRË, SE DUHET TË KËRKONTE VOTËBESIM
Artikulli tjetërGRABITJA, TAHIRI: POLICIA DO TË SHOQËROJË TRANSPORTIN E PARAVE