Historia e dy vajzave binjake që konsideroheshin të humbura pas zjarreve vrastare në periferinë e Athinës këtë javë përfundoi në mënyren më tragjike: ato u gjetën të vdekura, në përqafimin e gjyshërve të tyre.

 

Binjaket 9-vjeçare mallëngjyen gjithë botën pas publikimit të historisë së tyre nga gazeta “Times” e Londrës, kur prindërit të dëshpëruar i kërkonin ngado dhe nuk i gjenin.

 

Ndërsa funeralet për viktimat filluan të shtunën në mesditë, vazhdon akti i dytë i tragjedisë, me zjarrfikësit që hyjnë në çdo shtëpi për të gjetur nëse ka viktima të tjera apo me mjekët ligjorë që procedojnë me identifikimin e viktimave me anë të ADN-së.

 

Giannis Markis, shefi i operacionit të shpëtimit, thotë: “Është e pamundur të përshkruash atë që shohim, nuk ka fjalë. Sjellim njerëz të moshuar, me aftësi të kufizuara, me probleme frymëmarrjeje, fëmijë, njerëz me djegie dhe trupat e të vdekurve”.

 

Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, në një intervistë të tij në televizionin shtetëror ka ripërsëritur se është bërë çfarë është e mundur nga ana e zjarrfikësve dhe ushtrisë, por në këto kushte ekstreme moti ishte i pamundur evakuimi i shpejtë i kaq shumë njerëzve në zonën ku shpërthyen zjarret.

 

Disa orë pasi vetë kryeministri Tsipras mori përgjegjësinë politike për këtë tragjedi, kanë filluar edhe dorëheqjet e para nga dy nënkryetarë të Bashkisë së Maratonës.

 

“Dua të ndërmarr përpara kabinetit ministror dhe popullit grek përgjegjësinë politike të tragjedisë. E konsideroj diçka të tillë të kuptueshëm për kryeministrin e vendit dhe ju ftoj të gjithëve për të bërë këtë”, deklaroi Tsipras.

 

Edhe opozita greke ka ndërmarrë tashmë një valë kritikash ndaj qeverisë, e cila nga ana e saj pret përfundimet e një hetimi të gjerë, duke theksuar se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme dhe të mirorganizuar.

 

Ndërkohë, kur nga 3700 ndërtesa të kontrolluara rreth 1000 konsiderohen të pabanueshme nga zjarri, sipas të dhënave të fundit të publikuara, 52% e shtëpive në këtë zonë janë pa leje ndërtimi.