Greqia ka hapur hetim për vrasjen e ekstremistit minoritar Kostandin Kacifa në 28 Tetor të vitit kaluar në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Sipas medieve greke, prokuroria e vendit fqinj do të kërkojë informacion dhe të dhëna nga drejtësia shqiptare mbi detajet e operacionit. Gjithmonë sipas medieve greke ende nuk është vërtetuar se Kacifas është vrarë nga Forcat Speciale shqiptare.

Hetimi është hapur me akuzën se vrasja ka qenë e qëllimshme dhe në bashkëpunim, ndërsa do të thirren ekspertët grekë të mjekësisë ligjore. Grekët justifikohen për nisjen e hetimeve duke theksuar se autoritetet shqiptare nuk po u përgjigjen kërkesave të vazhdueshme të familjes Kacifas mbi rrethanat e vdekjes së 35-vjeçarit.

Prokurori grek e ka nisur punën me marrjen e dëshmive nga familjarët e minoritetit grek dhe mjekut ligjor. Hetuesi do të kërkojë nga autoritetet shqiptare detaje të policëve të përfshirë në operacion.

Duke folur për mediet greke nëna e 35-vjeçarit tha se “Ne duam të dimë pse fëmija ynë u vra. Ai dha një mesazh për Greqinë dhe Epirin e Veriut. Ata e vranë atë padrejtësisht, ai nuk bëri asgjë. Ai e donte flamurin e kombit. Fajtorët duhet të dalin në dritë. Ai ishte një fëmijë i qartë dhe i mirë”.

Motra Ermioni Kacifa, foli për vonesa të qëllimshme nga drejtësia shqiptare për të mos thënë të vërtetën, dhe vuri në dukje se familja po priste përgjigje se kush e vrau vëllanë e saj.

Kacifas u ekzekutua vjet në Bularat nga policia pasi nuk pranoi që të dorëzohej, por i armatosur hapi zjarr kundër efektivëve. Vrasja solli replika të forta mes dy vendeve.

Artikulli paraprakZËDHËNËSI I PRESIDENCËS TURKE KËRKON TËRHEQJEN E ÇMIMIT NOBEL PËR PETER HANDKE
Artikulli tjetërSHQIPTARI DËNOHET ME 22 VJET BURG PËR MBËSHTETJE NDAJ TERRORIZIMIT