17 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga Virusi i Nilit Perëndimor në Greqi, i cili shkaktohet nga pickimi i mushkonjave.

Rreth 130 raste të prekura nga ky virus janë raportuar nga i gjithë rajoni, kryesisht në Atikë dhe Maqedoni Qendrore, por edhe në pjesë të tjera të Evropës.

Sipas mjekëve simptomat e këtij virusi përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje trupore dhe të vjella. Shoqata Mjekësore e Athinës i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të zbatojë një plan me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Sipas mjekëve, rasti më i hershëm i infektimit me virusin e Nilit Perëndimor daton në vitin 1996 në Rumani.

Ndërsa këto 10 vitet e fundit thuajse çdo vere janë regjistruar raste të infektimit me këtë virus ku një rritje e numrit të infektuarve vihet re në Europën Qëndrore dhe Jugore.

Sipas mjekëve bartësit kryesorë të këtij virusi janë zogjtë që vijnë nga Afrika dhe janë pikërisht këto shpendë të cilët kanë sjellë virusin e Nilit Perëndimor në Europë.

Ndërkohë, Ministria jonë e Shëndetësisë përmes Institutit të Shëndetit Publik ka bërë të ditur gjatë ditëve të fundit se në vendin tonë nuk ka asnjë rast me virusin e Nilit dhe se janë marrë masat për parandalimin e përhapjes së tij.