Të dhënat nga Sekretariati i Përgjithshëm grek për Mbrojtjen Civile të njoftuara sot nga mediat greke mbi pandeminë e koronavirusit në Greqi flasin për një numër të vogël rastesh infektimi me COVID 19 të importuara nga Shqipëria. Sipas të dhënave, nga 1 korriku deri më 16 gusht, janë shënuar vetëm 63 raste të gjetur pozitivë tek shtetasit shqiptarë që kanë hyrë përmes rrugëve ajrore dhe tokësore nga Shqipëria në Greqi, nga të cilët vetëm 14 janë aktivë.

Sipas të dhënave greke janë kryer rreth 320 mijë testime për këtë periudhë dhe shumica e rasteve të importuara me “COVID 19” regjistrohen nga Rumania (86), Bullgaria(86), Serbia (80) dhe vetëm Suedia vjen pas Shqipërisë me 29 raste. Numri i personave që hynë në Greqi nga 1 korriku deri më 16 gusht për këtë periudhë ishte 2,5 milionë, nga të cilët rreth 384 mijë nga kufijtë tokësorë.

Megjithë numrin e pakët të infektimeve nga Shqipëria, Greqia ka zbatuar masa të forta shtrënguese në kufirin greko-shqiptar. Pas mbylljes së tre nga 5 pikëkalimet kufitare mes të dy vendeve, Greqia kufizoi aktivitetin gjatë natës të Pikës së Kakavijës dhe asaj të Kapshticës (prej orës 22 deri në orën 06 të mëngjesit).

Masat u thelluan më tej me kufizimin më 16 gusht me 750 persona në ditë të hyrjeve në Greqi nga Kakavija dhe 300 personave në ditë nga Kapshtica. Autoritetet greke kanë bërë të detyrueshëm edhe testin molekular negativ për Covid 19, për çdo udhëtar që hyn në Greqi nga kufiri shqiptar.

Ministria greke e Shëndetësisë ka vendosur që duke filluar nga e mërkura edhe për 10 ditët e ardhshme, ekipet e epidemiologëve të marrin tamponë konfirmues prej udhëtarëve në kufirin shqiptaro grek, megjithëse çdo udhëtar paraqet testin e kryer në Shqipëri, që rezulton negativ.

Masat shtrënguese greke në kufirin me Shqipërinë ndikuan që mijëra shqiptarë të qëndronin prej 4 ditësh në kufi në temperatura mjaft të larta javën e shkuar duke rrezikuar një krizë humanitare. Qeveritë e të dy vendeve u kritikuan ashpër për qëndrimin ndaj krizës në kufi nga udhëtarët që ishin jo vetëm emigrantë shqiptarë, por edhe nënshtetas grekë dhe turistë të huaj.

Qeveria greke u kritikua për kufizimet drastike të lëvizjes drejt Greqisë (një mijë persona në ditë lejohen të hyjnë në Greqi nga dy pikat e Shqipërisë). Këto kufizime e bënin të pamundur edhe me muaj rikthimin në Greqi të dhjetëra mijë shqiptarëve që kaluan ditë e para të gushit kufirin grek për në Shqipëri dhe rrezikonin që me mosrikthimin të humbisnin

vendet e punës dhe përfshirjen në procesin e ripërtëritjes së lejeve të reja të qëndrimit. Qeveria shqiptare u kritikua për mosinformimin në kohë të shqiptarëve në Greqi përmes selive diplomatike dhe konsullore dhe mosnegocimin në nivele të larta me palën greke për zbutjen e masave në mënyrë të përkohshme.

Asnjë nga autoritetet e larta shqiptare të shtetit dhe qeverisë, si dhe përfaqësuesve të opozitës nuk u pa mes qytetarëve të revoltuar në radhët kilometrike gjatë 4 ditëve në Kakavijë dhe Kapshticë.

Qeveria shqiptare mbahet përgjegjegjëse nga emigrantët shqiptarë në Greqi edhe për vështirësitë e krijuara prej disa kohësh në pajisjen me pasaporta në selitë konsullore shqiptare në Greqi. Javët e fundit ndodhën ndryshime në Ambasadën shqiptare në Athinë pas kritikave të ashpra të vetë emigrantëve në rrjetet sociale për afera korruptive në pagesa ryshfetesh kundrejt marrjes së pasaportave.

Vetëm ditën e pestë të krizës, pala greke punoi gjatë natës në Kakavijë duke shkarkuar plotësisht vetëm për disa orë radhët kilometrike dhe duke i dhënë fund një krize që nuk ishte parë prej 30 vitesh në kufirin shqiptaro-grek.