Për të tretin vit radhazi Angelina Jolie shpallet gruaja më e admiruar në botë. Diva e kinemasë amerikane kryeson prej vitit 2015 sondazhin e kompanisë së njohur angleze Yougov, i kryer në 35 vende.

Aktorja 43-vjeçare la pas në këtë klasifikim ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama. Në vend të tretë u rendit një tjetër person me peshë në shoqërinë amerikane, Oprah Winfrey.

Megjithatë Angelina në SHBA mori një mbështetje tejet të ulët, duke mos u renditur as në 20-shen e parë. Mes emrave të njohur që ishin pjesë e këtij klasifikimi janë: Mbretëresha Elizabeta e II, Angela Merkel apo Hillari Klinton.

Te meshkujt renditjen e më të admiruarve e kryeson themeluesi i Microsoft, miliarderi Bill Gates, ndonëse e ka humbur së fundi titullin si më i pasuri i globit.

Ashtu si bashkëshortja e tij, edhe ish-Presidenti Barack Obama zë vendin e dytë në listën e personave më të pëlqyer, duke lënë pas aktorin kinez Jackie Chan.

Risi në klasifikimin e meshkujve ishte ylli i Real Madrid Cristiano Ronaldo, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump, mban vendin e 17-të.