KOORDINATORËT E PS NË BËRDICË: PD SHPIF DHE GËNJEN ME DEKLARATËN E SAJ “Shporruni se do t’ju djeg makinën”. Më këto fjalë i është drejtuar kryetari i PD në Bërdicë të Sipërme Isuf Meta grupit të koordinatorëve të terrenit të Partisë Socialiste dy ditë më parë.

Përgjegjësi i koordinatorëve të terrenit Bledar Verri e quan shpifje dhe gënjeshtër deklaratën e nënkryetarit të PD Bujar Hoti se z. Meta nuk ka bërë atë sjellje dhe rrëfen se si janë kërcënuar teksa ishin duke shpërndarë ftesa për kandidaten e PS për Bashkinë Shkodër Keti Bazhdari. Koordinatori Pjerin Pjetrushi thotë se sot ata janë pritur shumë mirë nga banorët e Bërdicës dhe se nuk kanë grisur asnjë poster të kandidates së PD Voltana Ademi siç demokratët pretendojnë. Madje ky grup koordinatorësh fton kryetarin e PD Isuf Meta edhe për një përballje mediatike për ngjarjen në fjalë. Një ditë më parë grupi i koordinatorëve të PS po operonte në komunën e Bërdicës kur ky grup pretendon se kreu i PD aty Isuf Meta i ka kërcënuar e madje i ka ndjekur me makinë duke paraqitur këto foto si prova. Nga ana e saj PD hodhi poshtë këto pretendime duke thënë se ngjarja nuk është e vërtetë.

PUBLICITET