Një sherr i çastit mes dy shoferëve ka bërë që njëri prejt tyre të sulmohet keqas. Kështu i plagosur ka mbetur shtetasi Dodë Rrethori, 50 vjeç nga Vau Dejësi.

Ky i fundit është kërcënuar nga persona që mbanin në duar automatik kallashnikov si dhe është goditur me shkopinj dhe sende të tjera të forta.

50 vjeçari ka marrë goditje në fytyrë duke u dëmtuar. Menjëherë është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në aksin Shkodër-Guri Zi kur papritur furgoni që drejtonte 50-vjeçari Dodë Rrethori është përplasur fare pak me një mjet tjetër ku ndodheshin disa persona të tjerë.

Në atë moment drejtuesit e mjeteve janë ulur në tokë për t’u sqaruar mbi këtë aksident pa pasoja por ky sqarim mes tyre është kthyer në një debat e më pas një konflikt fizik.

Sipas burimeve nga vendngjarja dy persona që ndodheshin në mjetin tjetër fillimisht me automatik në duar kanë kërcënuar shoferin e furgonit dhe më pas e kanë goditur atë me shkopinj në fytyrë dhe trup dhe sende të tjera të forta dhe pasi e kanë goditur janë larguar me shpejtësi.

Pas transportimit në spitalin e Shkodrës për t’i dhënë ndihmën e parë, policia ka marrë dëshminë e shoferit të dëmtuar.

Shtetasi Dodë Rrethori sipas burimeve ka deklaruar se personat e kanë sulmuar nga mbrapa dhe se ai nuk ka parë më shumë për shkak të goditjeve që ka marrë.

Shoferit ka treguar për policinë se armët i janë drejtuar pasagjerëve që ai kishte në mjet ndërsa pasagjerët kanë deklaruar të kundërtën se është kërcënuar vetë drejtuesi i furgonit.

Në vendngjarje ka shkuar policia e cila po punon për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre si dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të ndodhur në aksin Shkodër-Guri Zi.