Në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës është zhvilluar dëgjesa publike me banorët e fshatit Domen të Njësisë Postribë për dhënien me qera të një rruge më qëllim shfrytëzimin e mineralit gëlqeror.

Më herët me lejen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë firma “Babasi” ka ushtruar veprimtarinë e nxjerrjes së gurëve për mermer në rrugën e fshatit Domen.

Disa prej banorëve të pranishëm në dëgjesën publike nuk janë dakord për shkak se shfrytëzimi i gurores pretendojnë se sjell disa dëme për ta.

Kryeplaku i fshatit Domen, Bajram Milani thotë se nuk ka qenë në dijeni as ai dhe as banorë të tjerë për marrjen e lejes nga firma për shfrytëzimin e gurores.

Drejtorja e Mjedisit në bashkinë Shkodër Aida Shllaku sqaroi banorët se bashkia nuk ka asnjë lidhje me guroren sepse lejen e ka në dorë ministria ndërsa u shpreh se dëgjesa ka të bëjë vetëm me dhënien me qera të rrugës ku kalojnë mjetet e firmës.

Banorët vazhduan me pretendimet e tyre.

Firma Babasi e shfrytëzon guroren përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave pavarësisht reagimeve të banorëve ndaj kësaj çështjeje.