Të gjithë kanë shkuar në shkollë në ditën e parë të këtij sezoni të ri por Franko Kolaj nuk ka mundur. 10 vjeçari nga fshati Samrisht i Vjetër në njësinë Dajç të bashkisë Shkodër ka tentuar të futet në shkollë ashtu si vitin e kaluar por dera e shkollës është e kyçur.

10 vjeçari nga Samrishti tregon se nis tashmë klasën e 5-të por shkolla në fshatin e tij mundet që të mos funksionojë më për shkak të numrit të ulët të nxënësve në atë zonë.

Franko thotë se dëshira e tij është që ta bëjë mësimin tek shkolla e fshatit ndaj edhe në ditën e parë ka shkuar me shumë dëshirë por është hasur me dyert e mbyllura të shkollës.

Tashmë nxënësit e shkollës së fshatit Samrisht i Vjetër do të duhen të shkojnë tek shkolla e fshatit Shirgj që është 5-6 kilometër më larg.

Kjo e vështirëson situatën për fëmijët e fshatit të cilët në shumicën më të madhe të rasteve shkojnë të vetëm me biçikletë si në rastin e Frankos.

Tashmë rënia e numrit të nxënësve në shkollat e Shkodrës ashtu si në gjithë Shqipërinë mbetet një shqetësim duke bërë që shumë prej tyre të mbyllen dhe nxënësit të detyrohen

të shkojnë në shkolla të tjera larg fshatrave të tyre, shpesh herë mes vështirësive dhe kushteve aspak normale për një fëmijë.