Dy shtëpi, pronarët e të cilave jetojnë në Greqi janë vjedhur në Korçë. Banesat ndodhen në lagjen numër 4 të qytetit.

Mësohet se në banesa janë marrë orendi shtëpiake. Mendohet se vjedhja ka ndodhur gjatë natës, por vetëm pasditen e sotme është vënë re nga banorët e lagjes.
Njëra nga banesat është në pronësi të shtetasit Nasi Cekani. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet.

Ngjarja pason vjedhjen e dy ditëve më parë në lagjen numër 3 të qytetit, ku maskat e armatosura grabitën shtëpinë e një çifti të moshuarish.
Banesa ishte në pronësi të çiftit Foni dhe Afërdita Rapos.

Në banesën e Foni Rapos, rreth 85 vjeç, dyshohet se janë marrë rreth 1 milion lekë të vjetra, teksa çifti jeton vetëm pasi të afërmit i kanë në emigracion.

“Ishim duke ngrënë darkën. Dy persona me maskë, armë dhe thikë u futen nga dera e pasme. Na kërcënuan dhe goditën. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë, ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Na nxorën edhe thikën. Bërtisnin ‘lekët, lekët’.

Thoshin se jemi nga Elbasani. Pasi morën lekët e pensionit iu treguam edhe kursimet. Ata kërkonin lekë të tjera. Iu dhamë unazat e floririt. Na lidhën dhe më pas kërkonin lekë të tjera. Jemi të tmerruar. Gruaja është e sëmurë me diabet dhe tension. Është e tmerruar. Ndodhet akoma në spital. Kërkojmë të kapen autorët” tregoi i moshuari.

Artikulli paraprak100 TË RIATDHESUAR NGA FRANCA, BELGJIKA E GJERMANIA
Artikulli tjetërSHFRYTËZONIN TË MITURËN PËR PROSTITUCION, 2 NË PRANGA