Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare se nevojitet bashkëpunim dhe profesionalizim të të gjitha strukturave, si qëndrore ashtu dhe lokale.

“Bashkëpunim edhe me policinë në emergjenca. Masa për lehtësim të procedurave doganore në raste të kalimit të ndihmave.

Shkëmbim informacioni për kapacitete mjetesh. Bashkëpunim me ARRSH për situatën e rrugëve”, tha Çako, duke theksuar se pavarësisht situatës emergjencat janë ndjekur në të gjithë vendin, sidomos për tërmetet dhe zjarret gjatë verës.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile tha se buxheti i 2019-s është pak a shumë në të njëjtat limite si në 2018-n, e sipas tij, emergjencat duhet të llogariten në detaje pasi situata të papritura sikurse është rrëshqitja e kodrës në Gjirokastër, që kërkon 85 milionë lekë, apo edhe ndërhyrjet në Vjosë e Fier, mund të ndodhin kurdoherë.

Çako shtoi se banorët e prekur nga tërmetet duhet të dëmshpërblehen. Në këtë moment, deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sina kërkoi që në buxhetin 2019 të përfshihet edhe dëmshpërblimi për tërmetin e muajit maj në Selenicë, Vlorë.

“Tek ne nuk ka ardhur akoma dokumentacioni. Në buxhet janë marrë në konsideratë të gjitha ato që kanë dokumentacion të plotë. Gjithsesi, do përpiqemi që të jetë në vëmendje”, iu përgjigj Sinajt Çako.

Gjatë Komisionit të Sigurisë Kombëtare, fjalën e mori edhe deputeti socialist Luan Harusha, i cili ngriti pyetjen nëse ka një projekt konkret për përmbytjet në Shkodër.

Çako bëri të ditur se Shkodra është parashikuar që të jetë pjesë e buxhetit, pasi është një nga vendet me risk të lartë. Ai u shpreh gjithashtu se në Shkodër është avancuar sa i takon saktësimit të hartave të përmbytjeve.

Artikulli paraprakDE BIASI: NË SHQIPËRI E PËRJETOJNË SHUMË FUTBOLLIN, AUTOBUSI I SKUADRËS TË LË PËRSHTYJEN E NJË DISKOTEKE
Artikulli tjetërKALAJA ROZAFA MË SHUMË TURISTË SE VELIPOJA E THETHI