Pas vrasjes së adoleshentit, Adriel Sala në Fushë-Mamurras, një tjetër vrasje ka ndodhur në orën 04:30 të mëngjesit në këtë qytet.

Vrasja ka ndodhur në lagjen Zef Hoti, ku është vrarë 27-vjeçari, Indrit Pepa. I riu sapo kishte dalë nga dera e shtëpisë në momentin e vrasjes.

Mbi të riun, Indrit Pepa është qëlluar disa herë. Burime bëjnë me dije, se shkak i vrasjes është hakmarrja për një plagosje që Pepa ka kryer 6 vite më parë ndaj autorit, të identifikuar si 49-vjeçari me inicialet A.M.

Mësohet se i riu jetonte prej kohësh jashtë Shqipërisë dhe se ishte kthyer kohët e fundit në atdhe, tek familja e cila qendronte e ngujuar prej 6 vitesh, që nga momenti i plagosjes që Pepa kishte bërë ndaj autorit.

Burimet bëjnë me dije se Indrit Pepa ishte babai i një vajze 4-vjeçare. Policia njofton se autori është shpallur tashmë në kërkim por ende nuk është kapur. Në njoftim thuhet se i riu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Traumës.

Njoftimi i plotë:

Kurbin

Informacion paraprak

Sot, rreth orës 04:30, është marrë njoftim se në Mamurras, afër xhamisë së qytetit, është plagosur me armë zjarri shtetasi I.P. 27 vjeç, banues në Mamurras, i cili është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kjo është vrasja e dytë në më pak se 24 orë, pasi mbrëmjen e djeshme në Fushë-Mamurras, humbi jetën një 14-vjeçar, i identifikuar si Adriel Sala. Pak ditë më parë, një tjetër vrasje ndodhi në Shkodër ku vra biznesmeni Arjan Ferracaku.

Ferracaku u vra me breshëri plumbash, ndërkohë që ende nuk është zbardhur ngjarja. Në dy muaj në Shkodër janë vrarë 6 persona dhe 2 të tjerë janë zhdukur.

RENEA, FNSH dhe policia kanë zhvilluar disa aksione në të gjithë vendin për kapjen e autorëve.