APLIKANTËT, MESATARE TË SHKOLLËS SË MESME DHE TË LARTË MBI 6. Hapen regjistrimet për ciklin e dytë të studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, i cili është firmosur në datën 20 tetor 2014, përcaktohet se po në këtë datë, pra ditën e hënë, më 20 tetor, deri në datën 29 tetor, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 16:00, kandidatët mund të bëjnë aplikimin për t’u bërë pjesë e garës për të fituar të drejtën e studimit në master.

Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga komisionet e posaçme që do të bëjnë vlerësimin e dosjeve të kandidatëve. Për këtë vit qeveria miratoi 12640 kuota të reja për ciklin e dytë të studimeve. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që: kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit; janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë Bachelor ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS. Në vendimin e qeverisë është përcaktuar si kriter për kandidatët që do të aplikojnë, mesatarja mbi 6, dhe jo vetëm për ciklin e parë të studimeve, por edhe për mesataren e gjimnazit.

 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/i2aLzcEHpQA?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]