VEQ TJERAVE NDËRTIMI I KËTIJ AEROPORTI SJELL 250 VENDE TË REJA PUNE. Ditën e sotme është nënshkruar udhëzimi për t’u vënë në punë aeroporti i Kukësit. Nisma është ndërmarrë nga ministri i Financës, Shkëlqim Cani, dhe ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto, të cilët kanë firmosur udhëzimin që përcakton se administrimi i aeroportit të Kukësit i kalon Aviacionit Civil. Ky udhëzim është firmosur në Fletoren Zyrtare ku përcakton se “Deri në vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, Autoriteti i Aviacionit Civil, do të përballojë shpenzimet e administrimit të tij nga fondet e veta të programuara”.

  Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit nisi në muajin maj të vitit 2002 dhe përfundoi pak vjet më vonë. Ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarësh, 3 kilometra larg qytetit të Kukësit, dhe është i kategorisë ndërkombëtare C. Sipas projektit të ndërtimit, në këtë aeroport është parashikuar që të zbresin njëherësh deri pesë aeroplanë. Aeroporti është i pajisur me të gjitha mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore.  Në fakt, Aeroporti i Kukësit nuk është vënë asnjëherë në punë, për shkak të kontratës mes qeverisë dhe grupit që ka marrë me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Vënia në punë e këtij aeroporti është kërkuar disa herë edhe nga pala kosovare nëpërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë Behgjet Pacolli, pasi zhvillimi i tij do t’i jepte ndihmë ekonomisë në të dyja anët e kufirit.