Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe deputeti socialist Taulant Balla kanë deklaruar sot në një dëgjesë me banorët e Gramshit se punimet në kanionin e Holtës do të pezullohen përkohësisht, deri në daljen e raportit të skanimit të projektit.

Balluku u shpreh se së bashku me ministrin Klosi do ta kthejë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave.

“Por dua ta them shumë qartë, vërtetë HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC-i të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore.

Ndaj na duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive tona natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe që ne shqiptarët kemi”, tha më tej ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ripohoi banorëve se në rast se projekti i ndërmarrë rezulton se dëmton kanionin e Holtës, do të anulohet.

“Procesi i pezullimit do të vazhdojë me parjen në detaje të të gjithë projektit, me garancitë që nëse i preket një qime floku kësaj bukurie natyrore do të shkohet drejt anulimit”, tha ai.

Balla u shpreh se po i jepet përparësi jo vetëm pasurisë natyrore por edhe interesit qytetar.

“E gjithë vëmendja jonë është për ju, për banorët e Gramshit dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të zakonshëm të vendit. Të jeni të sigurt se ne do e mbajmë fjalën që dhamë”, deklaroi deputeti socialist.