Greqia është alarmuar nga një helikopter i dyshimtë që fluturonte mbi territorin e saj.
Ngjarja ka ndodhur të premten më 30 Mars, ndërsa lajmi është bërë i ditur pasditen e sotme.

Sipas shtypit grek, një helikopter tip “Eurocopter AS 350BA Ecureuil” fluturoi mbi një bazë ajrore ushtarake në Andravida. Në bordin e mjetit fluturues ndodheshin dy shtetas të huaj, një gjerman që ishte piloti dhe një francez, të cilët po filmonin. Kulla e kontrollit urdhëroi helikopterin që të ulej pasi nuk kishte marrë leje të fluturonte në atë zonë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Rendit Publik nisën menjëherë hetimet mbi këtë rast, pasi dyshuan se dy shtetasit e huaj po bënin filmime sekrete mbi bazën ajrore ushtarake greke. Nga verifikimet rezultoi se helikopteri që përdorej nga dy të huajt, në fakt ishte marrë me qira nga një qytetar shqiptar. Ai është identifikuar, por emri i tij nuk është bërë publik.

Të tre personat u shoqëruan në polici për të dhënë shpjegime. Në fakt, helikopteri kishte marrë leje për të fluturuar, por deri në zonën e Lutraki në Korinth, dhe jo mbi bazën ajrore ushtarake në Andravida.

Sipas informacioneve që raportojnë mediat greke, dy qytetarëve të huaj iu gjetën aparate fotografike dhe filmime, por thuhet se ata ishin punësuar dhe licencuar nga kontraktuesi për të kryer imazhe dixhitale përgjatë zonës së autostradës dhe më gjerë.

Helikopteri dispononte një teknologji të fundit dhe objektet janë sekuestruar për të analizuar të gjitha filmimet. Në hetim është përfshirë edhe Shërbimi Informativ i Greqisë. Të tre personat janë proceduar penalisht nga autoritetet greke.

Megjithatë nuk dihet nëse hetimi ndaj tyre po zhvillohet në gjendje të lirë pasi informacionet janë kontradiktore. Disa media shkruajnë se ata janë liruar, ndërsa të tjera thonë se po mbahen në paraburgim deri sa të dalin për masë sigurie në Gjykatë ditën pas Pashkëve, pasi është festë zyrtare në shtetin grek.

Kjo ngjarje alarmoi fillimisht edhe SHBA-në për mundësinë e spiunazhit, pasi aeroporti ushtarak në Andravida së fundmi do të shërbejë edhe për shërbimet operacionale të trupave amerikane.

Shtetet e Bashkuara janë duke kërkuar për një bazë të re për 5 mijë ushtarakë amerikanë dhe avionët e tyre, pas largimit nga baza turke në Incirlik. Dhe baza e Andravidas është në krye të listës për t’u përdorur nga amerikanët.

Artikulli paraprakZJARR TEK TREGU I SHUMICES NE SHKODER
Artikulli tjetërTONIGHT – DASHAMIR SHEHI