Policia greke ka zbuluar një parcelë të mbjellë me kanabis dhe ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të moshës 48 dhe 33 vjeç, që akuzohen se ishin kultivuesit e bimës narkotike.

Parcela ndodhej në një zonë mjaft të thyer malore të Arahovas, në perëndim të Beotisë.Për zbulimin e parcelës u përdor një helikopter i policisë.

Në vendngjarje u gjetën 216 fidanë kanabisi me lartësi deri 2,5 metra.Dy shtetasit shqiptarë nuk ndodheshin aty, por u mundësua identifikimi dhe më pas arrestimi i tyre, njeri në Livadhja dhe tjetri në Arahova.

Policia thotë se pas kontrolleve në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan shuma parash me vlerë të përgjithshme 7.000 euro, 6 telefona celularë, si dhe sasi të vogla kanabisi të papërpunuar.

Policia lokale po heton nëse implikohen dhe persona të tjerë në këtë çështje.